Rëndësia e burimeve njerëzore në bizneset kosovare

Category:

Description

Rëndësia e burimeve njerëzore në bizneset kosovare

 

Menaxhimi i Burimeve Njerëzore është një urë lidhëse ndërmjet Punëdhënësit dhe Punëmarësit dhe sot konsiderohet si një nga departamentet kyçe në një organizatë pasi që njerëzit/punonjësit janë asetet më të vlefshme në një kompani dhe pa kontributin e tyre bizneset nuk do të mund t’i realizojnë objektivat e tyre.

Sot, çështjet rreth menaxhimit të burimeve njerëzore janë themelore për ekonominë e çdo vendi. Çdo biznes bën përpjekje maksimale që të ketë në radhët e saj njerëz me aftësitë dhe shkathtësitë e duhura për nevojat e saj.

Menaxhimi i BNJ-ve përfshinë funksionet e menaxhimit si: Planifikimin, organizimin,  udhëheqjen dhe kontrollin e personelit.

Shumë afaristë të kompanive gjigante botërore kur janë pyetur se: Cilat kanë qenë vështirësit më të mëdha gjatë rrugëtimi të tyre të menaxhimit të biznesit, kanë thënë: menaxhimi me njerëz.

Burimet Njerëzore luajnë një rol jetik në suksesin e një biznesi mirëpo fatkeqësisht jo shumë biznese në Kosovë u kushtojnë rëndësi aq të madhe këtij departamenti dhe për këtë arsye viteve të fundit ballafaqohen me probleme të ndryshme që lidhen kryesisht me stafin e tyre.

Në përgjithësi shumë pak biznese në Kosovë mund të themi se kanë një department të mirëfilltë të Burimeve Njerëzore, apo personat që e udhëheqin atë nuk janë aspak kompetent për detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga ky Departament.

Përderisa në kompanitë evropiane i vlerësojnë lartë Burimet Njerëzore, në Kosovë ende nuk ka njohuri të mjaftueshme lidhur me këtë departament dhe për këtë aryse edhe nuk vlerësohet aq sa duhet. Por, në realitet ndihma që i ofron kompanisë ky sektor është shumë më i gjerë sesa që përceptohet  sepse  nuk merret vetëm me kontratat e punës dhe vendimet e pushimeve por i kushton rëndësi edhe pjesës së motivimit të stafit, planifikimit të stafit, analizës së vendeve të punës, rekrutimit, vlerësimit të performancës, trajnimit dhe promovimit të stafit.

A mund të punojë biznesi pa njerëz? A mund të arrijë suksesin biznesi pa njerëz? Natyrisht që jo, andaj Burimet Njerëzore kanë rol vendimtar në suksesin e biznesit.

Është vërtetë për tu habitur që tek ne ende në kompani të mëdha të mos ketë fare Departament të Burimeve Njerëzore dhe pronarët të meren me punësimet dhe largimet e stafit.

Edhe Kosovën e ka prekur ajo që quhet Krizë e Kapitalit Njerëzor, sepse edhe përkundër faktit se kemi rritje të ofertave për punë, në anën tjetër kemi rënie të kërkesave.

Ndoshta prej periudhës kur u liruan masat anti COVID shumëkush ka pritur që njerëzit të cilët qëndruan një kohë të izoluar dhe mezi pritën t’iu rikthehen vendeve të punës gjë qo të reflektonte në rritjen e interesimit për punë, në fakt ndodhi e kundërta.

Pse bizneset po kanë vështirësi për të rekrutuar punëtorë?

Sot, shumica e bizneseve kosovare e kanë hallin e njejtë: nuk po mund të rekrutojnë punëtorë sepse ka rënie të dukshme të interesimit nga punëkërkuesit, e sidomos për pozita që nuk janë menaxheriale ku ndër sektorët më të prekur janë: ndërtimtaria, gastronomia, tregtia me pakicë, etj.

Pse jemi në këtë situatë mendoj se janë arsyet që lidhen kryesisht me faktorët e jashtëm dhe të brendshëm ku ndër më kryesorët janë: migrimi, remitencat, mungesa e vlerësimit të stafit nga ana e kompanisë, mungesa e sigurisë në punë, mos implementimi i kontratave të punës, mungesa e transparencës, mungesa e nivelizimit të pagave, mos kompenzimi i orëve për punët shtesë, qasja jo e duhur ndaj stafit, mungesa e motivimit etj.

Për fund, besoj dhe shpresoj që kompanitë do të investojnë më shumë në departamentin e burimeve njerëzore, qoftë në krijimin e tyre nga zeroja apo në mbështetjen e atyre ekzistuese sepse pa një strategji të mirëfilltë të Burimeve Njerëzore rrezikojmë të kemi përkeqësim të situatës rreth rekrutimit të stafit.

Andaj, urime 20 majin dhe shpresojmë që në përvjetorin e ardhshëm të Ditës Ndërkombëtare të Burimeve Njerëzore të mos i kemi shqetësimet e njejta por një mbështetje më të madhe për këtë Departament të rëndësishëm dhe rritje të kërkesave për punë.

Burimi: Buletini Ekonomik.