Në shumë vende të botës, punonjësit e sektorit shëndetësor dhe farmacistët po ngrihen në veprim kolektiv për të kërkuar kushte më të drejta pune, normë të mjaftueshme dhe paga që pasqyrojnë rritjen e kostos së jetesës.
Qindra spitale, klinika dhe zinxhirë farmaceutikë në vende të ndryshme po përballen me protesta dhe greva, pasi punonjësit raportojnë se ndihen të mbingarkuar, të nënvlerësuar dhe të pamjaftueshëm për të garantuar kujdes cilësor për pacientët. Problemet e tyre janë të njëjta pavarësisht shtetit: mungesë stafi, rritje dramatike të ngarkesës, paga që nuk ndjekin inflacionin dhe lodhje e skajshme profesionale. Në shumë vende, punonjësit shëndetësorë kanë vite që paralajmërojnë se sistemi po shkon drejt kolapsit, por pandemia i përshpejtoi të gjitha sfidat duke nxjerrë në pah dobësitë e thella të sistemeve shëndetësore.
Nga “heronj” gjatë pandemisë te punonjës të harxhuar
Gjatë periudhës së Covid-19, mjekët, infermierët dhe farmacistët u lavdëruan si “heronj”. Por ndërsa duartrokitjet u zhdukën, shumë prej tyre mbetën me lodhje të madhe, trauma profesionale dhe një fluks pacientësh që nuk po zvogël6ohet. Ndërkohë, shumë kolegë të tyre u larguan nga sistemi, duke lënë boshllëqe edhe më të mëdha në staf. Shumë punonjës shëndetësorë sot thonë se ndihen sikur janë braktisur, ndërsa gjatë pandemisë u konsideruan thelbësorë, tani po përballen me pagë të ulët dhe ngarkesë shumë më të madhe.
Kriza globale e stafit në shëndetësi
Kriza e stafit shëndetësor është tashmë një fenomen global. Shumë vende raportojnë se diplomimet në infermieri dhe mjekësi nuk po arrijnë të kompensojnë pensionimet dhe largimet masive nga puna. Ndërkohë, pacientët që kanë shtyrë vizita dhe operacione gjatë pandemisë po kthehen në sisteme tashmë të stërngarkuara. Edhe farmacitë po përballen me të njëjtën situatë. Programet e testimeve dhe vaksinimeve kanë rritur përgjegjësitë e farmacistëve, por pa investime shtesë në staf ose pagë. Punonjësit shëndetësorë theksojnë se grevat nuk janë kundër pacientëve, përkundrazi, ato ndodhin sepse pacientët janë tashmë të rrezikuar. Listat e pritjes janë të gjata, urgjencat janë të stërmbushura dhe shumë pacientë nuk marrin shërbimin bazë që u nevojitet.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se kur punonjësit e vijës së parë ngrihen në grevë, është një sinjal i qartë se sistemi nuk po funksionon. Ata po paralajmërojnë se cilësia e kujdesit do të vazhdojë të bjerë nëse punonjësit vazhdojnë të punojnë të lodhur, të paktë dhe të paguar keq.
Hapat drejt ndryshimit
Në disa vende, grevat po japin rezultate. Marrëveshjet e reja që përfshijnë rritje pagash, investime në trajnime dhe komitete të posaçme për planifikimin e stafit po konsiderohen si hapa përpara. Megjithatë, edhe punëdhënësit dhe sindikatat pranojnë se problemet janë të thella dhe nuk zgjidhen brenda natës.
E rëndësishme është që drejtuesit e institucioneve shëndetësore të fillojnë të dëgjojnë zërin e punonjësve, profesionistë që çdo ditë shohin nga afër ku po dështojnë sistemet. Ekspertët parashikojnë se grevat dhe protestat në sektorin shëndetësor do të vazhdojnë dhe madje do të shtohen. Punonjësit në sektorë të ndryshëm po frymëzohen nga njëri-tjetri dhe po kuptojnë se vetëm përmes veprimit kolektiv mund të kërkojnë trajtim të drejtë dhe reforma të qëndrueshme.
Në fund, kjo valë e re lëvizjesh sindikale nuk ka të bëjë vetëm me pagën, por me dinjitetin, sigurinë e pacientëve dhe mbijetesën e vetë sistemeve shëndetësore në mbarë botën.
Burimi i imformacionit:
https://www.bbc.com/worklife/article/20231027-why-so-many-healthcare-workers-are-walking-off-the-job



