Si të përgjigjesh ndaj pyetjeve për pagën e dëshiruar në aplikime dhe intervista pune

Do të të bëhet patjetër pyetja se sa pagesë pret të marrësh në punën e re. Kjo mund të shfaqet në aplikimin për punë ose gjatë intervistës. Në çdo rast, duhet të jesh e përgatitur për t’iu përgjigjur.

Një kërkim i thjeshtë mund të të tregojë pagën minimale, maksimale dhe mesatare për një pozicion të caktuar. Edhe pse këto të dhëna janë të dobishme, ato nuk të ndihmojnë drejtpërdrejt t’i përgjigjesh pyetjes: “Cila është paga që pret?” Punëdhënësit zakonisht duan një shifër konkrete.

Megjithatë, fakti që ata kërkojnë një numër nuk do të thotë se je e detyruar ta japësh menjëherë. Ka disa mënyra për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.

Mund ta shmangësh pyetjen
Kjo është më e lehtë në aplikim sesa në intervistë. Thjesht mund ta lësh bosh nëse nuk është e detyrueshme. Shpesh pyetjet që kërkojnë përgjigje kanë shenja të veçanta, ndërsa ajo për pagën nuk është gjithmonë e detyrueshme.

Shumë kompani preferojnë ta diskutojnë pagën më vonë, sepse kjo lë hapësirë për negociim. Gjithashtu, gjatë një bisede direkte ata mund të vlerësojnë sigurinë tënde kur flet për pagesën.

Mund të thuash që paga është e negociueshme
Duhet pasur kujdes, sepse kjo mund t’i japë mundësi kompanisë të të ofrojë një pagë më të ulët. Kjo përgjigje mund të duket sikur nuk je e sigurt për vlerën tënde. Nëse e përdor këtë opsion, duhet të jesh e përgatitur të diskutosh më konkretisht më vonë.

Në aplikim mund të shkruash “e negociueshme” ose të vendosësh një vlerë simbolike nëse kërkohet patjetër numër. Në intervistë mund të thuash se je e hapur për diskutim dhe se e kupton që paga nuk është vetëm shuma e parave, por lidhet edhe me përfitimet që ofron kompania.

Mund të japësh një interval pagash
Këtu të ndihmon kërkimi paraprak. Duke ditur kufijtë e pagave në treg, mund të japësh një interval që je e gatshme ta pranosh.

Është e rëndësishme të informohesh edhe për kompaninë. Ka platforma ku punonjësit ndajnë përvojat dhe pagat e tyre, gjë që të ndihmon të krijosh një ide më të saktë.

Mund të japësh një shumë të saktë
Kjo është më e rrezikshme dhe zakonisht nuk rekomandohet. Nëse kërkon shumë, mund të dalësh jashtë buxhetit të kompanisë. Nëse kërkon pak, e vështirëson mundësinë për të negociuar më vonë.

Më mirë shtyje diskutimin për pagën
Sa më shumë ta shtysh këtë bisedë, aq më shumë kohë ke të tregosh vlerën tënde. Po ashtu, edhe ti duhet të vlerësosh nëse puna është e përshtatshme për ty.

Si ta shtysh këtë pyetje
Nëse pyetja vjen herët, mund të përgjigjesh në këtë mënyrë:

“Besoj se aftësitë dhe përvoja ime përputhen me këtë rol, por do të doja fillimisht të diskutojmë më shumë për kontributin tim para se të flasim për pagën.”

ose

“Do të preferoja ta diskutojmë pagën pasi të kemi një kuptim më të qartë për njëri-tjetrin dhe për rolin.”

Mund t’ua kthesh pyetjen
Një mënyrë tjetër është të pyesësh ti:

“Mund të më tregoni cili është intervali i pagës për këtë pozicion?”

Kjo të ndihmon të kuptosh më mirë pritshmëritë dhe kufijtë e kompanisë.

Në fazën e ofertës
Kur arrin në fazën e ofertës, atëherë është momenti për të diskutuar konkretisht për pagën. Shuma që të ofrohet nuk është domosdoshmërisht përfundimtare.

Negociimi i pagës
Negociimi mund të jetë stresues, por është një hap i rëndësishëm. Mjafton të pyesësh:

“A është e negociueshme kjo pagë?”

Kjo hap derën për diskutim.

Mos e prano menjëherë ofertën
Nëse ke kaluar mirë intervistën dhe kompania të vlerëson, përdore këtë në avantazhin tënd. Trego që je e interesuar, por gjithashtu e vetëdijshme për vlerën tënde.

Mund të thuash:
“E kuptoj që ka një buxhet për këtë rol dhe kjo mund ta bëjë negociimin më të vështirë, por jam shumë e interesuar të bëhem pjesë e ekipit tuaj.”

Mbaj një balancë
Mos u duk e dëshpëruar për punën, por as e pa interesuar. Ruaj një pozicion të fortë dhe profesional.

Mos harro që paga nuk është vetëm para
Përveç pagës, duhet të marrësh parasysh:
ditët e pushimit
mundësitë për zhvillim
afërsinë me vendbanimin
benefitet shtesë

Përfundimi
Diskutimi për pagën është i pashmangshëm. Strategjia më e mirë është ta shtysh sa më shumë këtë bisedë, deri në fazën e ofertës. Në këtë mënyrë, kompania jep e para një shifër dhe ti ke më shumë hapësirë për të negociuar dhe për të arritur një marrëveshje që i përshtatet të dyja palëve.

Burimi:topresume.com/career-advice/how-to-respond-to-desired-salary-questions-on-job-applications-and-in-interviews