Të refuzosh një kërkesë të shefit mund të duket e papërfytyrueshme për shumë njerëz. Shpesh ndjejmë presion të jemi të gatshëm, të përgjegjshëm dhe të mos krijojmë përshtypjen se po shmangim detyrimet. Por pikërisht kjo dëshirë për t’u dukur gjithnjë në lartësinë e duhur mund të çojë në mbingarkesë, punë të zgjatur përtej orarit dhe ndërhyrje të punës në jetën personale.
Specialistët e karrierës theksojnë se mënyra se si komunikojmë kufijtë tanë është kyçe. Sipas trajneres Helen Tupper, një ndryshim i vogël gjuhësor mund të na ndihmojë të vendosim kufi më të fortë: në vend të “nuk mundem”, të përdorim “nuk e bëj”. “Nuk mundem” shpesh hap hapësirë për presion apo bindje, ndërsa “nuk e bëj” është më i prerë dhe më i qartë. Për shembull, një punonjës mund të sqarojë: “Nuk marr pjesë në takime pas orës 17:00 sepse atëherë marr fëmijët nga kopshti”.
Mosvendosja e këtyre kufijve e çoi figurën televizive dhe shefen e kuzhinës, Lorraine Pascale, drejt një shterimi të plotë, fizik dhe emocional. Duke balancuar televizionin, biznesin e saj, librat dhe rritjen e vajzës, ajo e gjeti veten të rraskapitur, me faj, ankth dhe madje me neveri ndaj punës që dikur e dashuronte. Për të, burnout-i nuk ishte vetëm lodhje, por një reagim i tërë trupit dhe mendjes.
Ekspertët theksojnë se mënyra më e shëndetshme për ta parandaluar këtë gjendje është të vlerësojmë objektivat tona në raport me kapacitetin tonë aktual. Dr. Claire Ashley thotë se duhet të pyesim veten nëse ajo që po synojmë është e arritshme, duke marrë parasysh gjendjen emocionale dhe mendore të momentit. Për të, krijimi i një rutine të qëndrueshme dhe mbyllja e ditës së punës në të njëjtën orë e ndihmon trurin të mbyllë ciklin e stresit.
Statistikat tregojnë se presioni në punë është rritur ndjeshëm: shumica e punonjësve raportojnë stres të lartë gjatë vitit të fundit. Por burnout-i klinik ka shenjat e veta: lodhje e thellë, distancim emocional dhe rënie të produktivitetit. Nëse këto tre elemente shfaqen së bashku, atëherë kemi të bëjmë me një gjendje të mirëfilltë shterimi profesional.
Dr. Richard Duggins, psikiatër në NHS, i nxit punonjësit të flasin me drejtuesit e tyre, edhe kur pozita e tyre është e ulët. Ai pohon se shumica e punëdhënësve janë të gatshëm të bëjnë ndryshime sapo kuptojnë se parandalimi i burnout-it është në dobi të kompanisë po aq sa edhe të punonjësit. Ndonjëherë mjafton një bisedë për të rishikuar ngarkesën e punës, orët ose mënyrën e organizimit.
Dr. Ashley gjithashtu kujton se është e nevojshme të pranojmë se fazat e jetës ndryshojnë aftësinë tonë për të përballuar punën. Një njeri me përgjegjësi familjare ose me orar të kufizuar nuk mund të punojë në të njëjtin ritëm si një koleg që nuk ka këto detyrime.
Në fund, mesazhi është i qartë: ambicia është e vlefshme, por pa kufij bëhet e rrezikshme. Siç shprehet edhe vetë Lorraine Pascale, “Është mirë të jesh ambicioz, por duhet të mësosh të thuash edhe ‘jo’.”
Burimi i informacionit: https://www.bbc.com/news/articles/cn09eklpe24o



