10 Zgjidhje Inteligjente për të Ulur Shpejt Stresin

Nëse ndiheni të stresuar, qoftë nga puna apo nga diçka personale, hapi i parë për t’u ndier më mirë është të identifikoni shkakun. Gjëja më e padobishme që mund të bëni është të drejtoheni te zakone të pashëndetshme për të përballuar stresin, si pirja e duhanit apo konsumimi i alkoolit. Mosmarrja e kontrollit mbi situatën dhe mosveprimi mund t’i përkeqësojë problemet.

Disa prej elementeve kyçe të menaxhimit të mirë të stresit janë forcimi emocional, kontrolli mbi situatën, të pasurit një rrjet të mirë social dhe një qasje pozitive ndaj jetës.
Çfarë mund të bëni për të adresuar stresin?
1. Jini aktiv: Ushtrimet fizike nuk e zhdukin stresin, por mund të ulin intensitetin emocional që po ndjeni, t’i pastrojnë mendimet dhe t’ju ndihmojnë t’i trajtoni problemet më qetë.
2. Merrni kontrollin: Nëse mendoni se nuk mund të bëni asgjë për problemin, stresi mund të përkeqësohet. Ndjenja e humbjes së kontrollit është një nga shkaqet kryesore të stresit dhe mungesës së mirëqenies. Vetë veprimi i marrjes së kontrollit është fuqizues dhe është pjesë thelbësore e gjetjes së një zgjidhjeje që ju kënaq juve, e jo dikë tjetër.
3. Lidhu me njerëzit: Një rrjet i mirë mbështetës i kolegëve, miqve dhe familjes mund të lehtësojë vështirësitë e punës dhe t’ju ndihmojë t’i shihni gjërat ndryshe. Aktivitetet që bëjmë me miqtë na ndihmojnë të relaksohemi dhe të lirojmë stresin. Biseda me një mik mund t’ju ndihmojë gjithashtu të gjeni zgjidhje për problemet tuaja.
4. Krijoni kohë për veten: Shumë prej nesh punojnë orë të gjata, që do të thotë se shpesh nuk kalojmë mjaftueshëm kohë duke bërë gjërat që na pëlqejnë. Është e rëndësishme të gjeni kohë për shoqërim, relaks apo ushtrime. Provoni të caktoni disa mbrëmje në javë vetëm për kohën tuaj, larg punës.
5. Sfidojeni veten: Vendosja e objektivave dhe sfidave, në punë apo jashtë saj (si mësimi i një gjuhe të re apo një sporti të ri) mund të ndihmojë të ndërtoni vetëbesim. Kjo mund t’ju ndihmojë të përballoni më mirë stresin. Kjo gjithashtu ju shtyn të jeni më aktivë dhe më të motivuar.
6. Shmangni zakonet e pashëndetshme: Mos u mbështetni te alkooli, duhani apo kafeina për të përballuar stresin. Ato mund të japin lehtësim të përkohshëm, por afatgjatë nuk e zgjidhin problemin. Përkundrazi, krijojnë probleme të reja. Më e mira është të trajtoni shkakun e stresit.
7. Ndihmoni të tjerët: Studimet tregojnë se njerëzit që ndihmojnë të tjerët, përmes vullnetarizmit ose punës humanitare, shpesh bëhen më të qëndrueshëm emocionalisht.

Edhe nëse nuk keni kohë për të bërë vullnetarizëm, provoni t’i bëni një nder të vogël dikujt çdo ditë. Mund të jetë diçka shumë e thjeshtë si t’i ndihmoni dikujt të kalojë rrugën.
8. Punoni në mënyrë më të zgjuar, jo më të fortë: Të punosh në mënyrë më të zgjuar do të thotë të prioritizosh punët dhe të përqendrohesh te detyrat që kanë ndikimin më të madh. Lini detyrat më pak të rëndësishme për fund. Pranoni që nuk do të keni kohë për gjithçka.
9. Mundohuni të jeni pozitivë: Shikoni për anët pozitive të jetës dhe gjërat për të cilat jeni mirënjohës. Provoni të shkruani 3 gjëra që kanë shkuar mirë ose për të cilat jeni falënderues në fund të çdo dite.
10. Pranoni gjërat që nuk mund t’i ndryshoni: Ndryshimi i një situate të vështirë nuk është gjithmonë i mundur. Mundohuni të përqendroheni te gjërat që i keni nën kontroll. Për shembull, nëse kompania juaj po bën tkurrje të vendeve të punës, mund të fokusoheni në atë që mund të kontrolloni, siç është kërkimi për një punë të re.

Burimi i informacionit:
https://www.nhs.uk/mental-health/self-help/guides-tools-and-activities/tips-to-reduce-stress/