Në zyrë, në makinë, në transport publik ose në shtëpi, qëndrimi ulur është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të shumicës prej nesh. Por edhe pse duket i padëmshëm, qëndrimi i zgjatur në një pozicion të ulur, për shkak të ndikimit që ka në sistemin vaskular, lidhet drejtpërdrejt me rrezikun e sëmundjeve serioze si sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti i tipit 2.
Që në vitin 1953, epidemiologu Jeremy Morris vuri re diçka shqetësuese: shoferët e autobusëve të Londrës kishin më shumë se dyfishin e rrezikut për të zhvilluar sëmundje të zemrës krahasuar me konduktorët e autobusëve. Të dyja grupet ishin të njëjtë në moshë, gjini dhe status ekonomik. E vetmja diferencë? Konduktorët qëndronin në këmbë dhe ngjiteshin e zbrisnin vazhdimisht shkallëve të autobusëve, ndërsa shoferët kalonin orë të tëra ulur. Studimi i tij u bë themeli i kërkimeve të mëvonshme mbi lidhjen mes aktivitetit fizik dhe shëndetit të zemrës.
Që nga pandemia e Covid-19, puna nga shtëpia është bërë normë për shumë njerëz, duke rritur ndjeshëm kohën që kalojmë ulur. Pa ecjet e shkurtra brenda zyrës, pa lëvizjet drejt sallave të takimeve, shumë prej nesh kalojnë orë të tëra para kompjuterit pa u ngritur nga karrigia. Madje, edhe para pandemisë, studiuesit talleshin se njeriu modern po kthehej nga Homo sapiens në Homo sedens, “njeriu që rri ulur”. Ulja e zgjatur konsiderohet sjellje sedentare që përfshin aktivitete që kërkojnë energji minimale, si shikimi i televizorit, puna në kompjuter, lojërat ose vozitja. Këto sjellje lidhen me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, diabet të tipit 2 dhe vdekje të parakohshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë prej vitesh paralajmëron për rrezikun e tepërt të kohës ulur. Një nga keqkuptimet kryesore është se mungesa e lëvizjes barazohet me mungesë ushtrimesh fizike. Edhe nëse bën aktivitete fizike gjatë ditës, mund të qëndrosh ulur për periudha të gjata dhe kjo mbart rrezik më vete. Megjithatë, rreziku rritet edhe më shumë te personat që nuk bëjnë fare ushtrime.
Pse qëndrimi i gjatë ulur dëmton sistemin kardiovaskular? Sipas fiziologut David Dunstan, ulja ul në mënyrë drastike aktivitetin e muskujve të këmbëve. Kur muskujt punojnë më pak, kërkesa për gjak ulet, qarkullimi ngadalësohet dhe gjaku fillon të akumulohet në zonat e poshtme të trupit, sidomos në pulpa. Pozicioni i këmbëve të përthyera gjatë uljes e përkeqëson akoma më shumë situatën. Tek njerëzit që rrinë ulur për periudha të gjata, është vërejtur rritje e perimetrit të pulpave brenda vetëm dy orësh, rritje e presionit të gjakut dhe rezistencës vaskulare. Vaskulat ekspozohen ndaj më pak “rrëshqitjeje” të gjakut në muret e tyre, një proces thelbësor që i mban ato të shëndetshme, elastike dhe të afta për të kontrolluar presionin e gjakut. Kur ky stimul mungon, enët e gjakut fillojnë të ngushtohen, duke rritur rrezikun e hipertensionit dhe sëmundjeve të zemrës.
Sipas shumicës së kërkimeve, periudhat 120-180 minuta ulur pa u ngritur janë një prag kritik, përtej të cilit rreziku rritet ndjeshëm. Pas ngrënies, sidomos pas vakteve të yndyrshme, qëndrimi i gjatë ulur është edhe më i dëmshëm. Efektet negative nuk ndalen vetëm te zemra. Qëndrimi i zgjatur ul forcën e muskujve, dëmton densitetin e kockave, shton dhjamin abdominal dhe lidhet me dhimbje fizike, depresion dhe ankth. Në raste ekstreme, madje mund të shkaktojë ulçera presioni. Për personat me predispozitë për diabet të tipit 2, sjellja sedentare është veçanërisht e rrezikshme, sepse rrit sheqerin në gjak dhe ul ndjeshmërinë ndaj insulinës.
Sociologu Benjamin Gardner përmbledh situatën me një fjali të thjeshtë: “Shoqëria moderne na ka shtyrë drejt sedentarizmit. Sa më shumë teknologji kemi, aq më pak nevojë kemi të lëvizim.” Dhe pikërisht këtu qëndron sfida e kohës sonë.
Burimi i imformacionit:
https://www.bbc.com/future/article/20240722-why-you-are-probably-sitting-down-for-too-long



